Interi për kualifikim në Champions League, Milani ka ende shpresë

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2021, 16:07 | Futboll
Interi për kualifikim në Champions League, Milani ka ende shpresë

Emrat e mëdhenj zbresin në fushë në sfidat e kësaj të mërkure në Champions. Interi luan me Shakhtar-in në shtëpi dhe do të siguronte kualifikimin në rast fitoreje, rezultat që duhet të shoqërohet edhe barazimin ose humbjen e Sheriff përballë Realit të Madridit.

Spanjollët mund t’u japin një dorë zikaltërve, edhe sepse në rast suksesi do të kalonin në 1/8 dhe do të hipotekonin vendin e parë në grupin D, nëse Interi nuk fiton përballë ukrainasve. Gjithsesi, grupi mbetet i hapur dhe kombinimet e rezultateve mund të sjellin surpriza, pasi edhe Shakhtar-i ka ende shanse me një fitore.

Në grupin B, Liverpool është i kualifikuar dhe e ka të garantuar vendin e parë. Nga kjo situatë shpreson të përfitojë Porto, që me një fitore dhe me suksesin e Milanit ndaj Atletico Madrid do të kalonte në fazën tjetër. Kuqezinjtë kanë ende një shans, për fazën e 1/8 në Champions, por edhe për Europa League, por përveç ndeshjes ndaj spanjollëve, duhet të shpresojnë edhe të humbja e portugezëve në Anfield Road.

Grupi A rezervon supersfidën ndërmjet Manchester City dhe Paris Saint Germain. Të dyja skuadrat e yjeve mund të festojnë kalimin në turin tjetër me një barazim, por në këtë rast duhet që Bryzh të mos fitojë ndaj Lajpcig. Sido që të jetë, dueli i miliardave premton spektakël, sepse në fushë do të vendosen përballë disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit.

Në takimet e tjera, Borussia Dortmund luan finalen për vendin e dytë në grupin C me Sportingun e Lisbonës. Me një fitore gjermanët do të kualifikohen, ndërsa për të vazhduar më tej Sportingut i nevojitet fitore me dy ose më tepër gola diferencë. Ndërkohë, Ajax i kualifikuar luan me Beshiktash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos