Interneti në celularë, rritet ndjeshëm numri i përdoruesve dhe sasia e gigabajtëve shpenzuar

Nga A2 CNN
20 Mars 2022, 16:37 | Teknologji

Shqiptarët po përdorin më shumë internet. Nga viti në vit, numri i atyre që shkëmbejnë të dhëna në celularë ka ardhur duke u rritur, duke kapur shifrën e 2.1 milionë vitin e shkuar.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, gjatë 2021-shit u shpenzuan 112 milionë gigabajt internet, shifër kjo gati 2-fish më e lartë se krahasuar me periudhën e para pandemisë.

Përdorimi më i lartë i internetit do të thotë më shumë rrezik për t’u sulmuar nga hakerat thonë ekspertët.

“Duke ditur që shumica e njerëzve janë të pambrojtur, pa antivirus të instaluar, ose qe shumica e siteve ku shihen filma ilegalisht  janë totalisht të piratuara dhe me viruse,  sa me shumë kalojmë kohë në Internet aq më shumë shtohet rreziku për t’u hakuar”, thotë për A2 CNN eksperti i informatikës, Tomi Kallanxhi.  

Ndërkohë, për momentin rreziku më i madh është dezinfomimi me anë të lajmeve të fabrikuara për konfliktin Rusi-Ukrainë.

Rritja e përdorimit të internetit i kishte shfaqur shenjat e para në vitin 2019, por pandemia Covid-19, karantina, mësimi e puna nga distanca i dhanë një tjetër hov prirjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos