Intervista e fundit mediatike e Këlliçit: Alibeaj të fliste për tenderin fiktiv që denoncova, jo të më përjashtonte

Nga A2 CNN
11 Janar 2023, 21:19 | Politikë
Intervista e fundit mediatike e Këlliçit: Alibeaj të fliste

“Në vend që Enkelejd Alibeaj të më përjashtonte nga grupi parlamentar demokrat të kishte folur për tenderin korruptiv dhe kriminal të kryebashkiakut Veliaj për rrugën Xhon Belushi”. Kështu u shpreh kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi në studion e Debatit me Alba Alishanin, të cilin e konsideroi një krim elektoral.

“Unë nuk arrij ta kuptoj që në vend që Alibeaj të fliste për këtë tender ku është e faktuar që bashkia e Tiranës po kryente një tender me punonjësit e Bashkisë, ndërkohë që punimet duhet ti bënte kompania private pasi të shpallej fituesi. Kur unë bëra denoncimin nuk kishim asnjë njoftim për kompaninë fituese. Brenda afatit ligjor ne duhet të kishim për rrugën Xhon Belushi kompaninë fituese ndërkohë që aty është punuar nga punonjësit e Bashkisë unë e quaj kriminale, unë e quaj krim zgjedhor, krim elektoral. Dje depozitova kallëzim në SPAK për këtë tender korruptiv dhe fiktiv në rrugën Xhon Belushi. Nuk është normale që në vend që të përjashtonte Belindin, të thoshte një fjalë për Veliajn që po vidhte taksat e qytetarëve të Tiranës”.  

Në intervistën e fundit mediatike që zhvilloi për A2 CNN, pasi siç deklaroi ai do të angazhohet në terren për garën e Bashkisë së kryeqytetit, Këlliçi tregoi edhe burimet prej nga zbuloi korrupsionin e këtij tenderi, teksa njoftoi edhe denoncime të tjera.

“E zbulova në dy rrugë të ndryshme informacioni nga nj denoncim nga një nga burimet nga brenda Bashkisë së Tiranës dhe duke qenë se nuk e besova verifikuam me ekipin tim që në sistem janë hedhur një sërë rrugësh për t’u rehabilituar dhe e konfirmova me një burim të dytë dhe kur pashë që me kasetat e montuara Veliaj kishte shkuar e përuruar këtë rrugë dhe pas ishin makineritë e tij, të nesërmen e denoncova live para kamerave. Dhe tenderi fiktiv do t’i jepej iks kompanie që unë e kam ditur se kush do ta marrë, prita procedurën. Jam i gatshëm të deponoj në SPAK dhe për shkak se kam qenë dëshmitar okular dhe bëra denoncimin të premten për një tender që do të mbyllej ditën e hënë”.

Duke e konsideruar një krim elektoral, ai thotë se për këtë do të njoftojë edhe partnerët ndërkombëtarë për situatën zgjedhore në Shqipëri.

“U reflektua një vjedhje dhe u frenua një vjedhje. Nga frika u detyrua Bashkia e Tiranës ta anulonte këtë procedurë. Brenda këtyre 2 ditëve. Kam informuar sot një ambasadë partnere të BE dhe do të njoftoj të gjithë partnerët që operojnë në Shqipëri, OSBE ODIHR, për këtë krim elektoral dhe për t’i treguar klimën ku po realizohen zgjedhjet”.

Çështja e logos dhe vulës së PD-së, për Këlliçin është e mbyllur. Ai thotë se ka hyrë në garë për bashkinë e Tiranës me mbështetjen e demokratëve.

“Ende nuk ka një vendim të gjykatës për vulën dhe logon, mua nuk ma cakton dot as gjykata dhe as prokurori as ndonjë ambasador se kush dua unë të më drejtojë në partinë ku aderoj. Për mua kjo çështje është e mbyllur dhe ndaj kam ndërmarrë një hap të tillë që kam hyrë në garë,  i bindur se kam mbështetjen e demokratëve dhe jam në garë si kandidat i PD, se betejën e bëj me këta qytetarë, këta kanë qenë numëruesit, komisionerët e që më kanë shoqëruar në protesta”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos