Objektiv për 2023, Ulsi Manja paralajmëron miratimin e një amnistie për të burgosurit

Nga A2 CNN
11 Janar 2023, 19:08 | Politikë
Objektiv për 2023, Ulsi Manja paralajmëron miratimin e një

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, paralajmëroi miratimin e një amnistojë të përgjithshme për të dënuarit me burg.

 “Për vitin 2023, nuk mund ta them saktësisht kohen, në objektivat tona është t’i propozojmë Kuvendit një amnisti penale”, deklaroi Manja.  

Ndërsa Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi njoftoi rritjen e investimit teknologjik në Policinë e Shtetit.

“E kushtëzuar edhe nga sulmi që pësuam në shtator nga agresorët iranian, kemi arritur që të rrisim, 7.6 herë investimet në teknologjinë e kësaj fushe”, shtoi ky i fundit.  

Në prezantimin e arritjeve për vitin e kaluar dhe objektivave të vitit 2023 dy ministrat nënvizuan luftën ndaj pjesës mëkatare të institucioneve të varësisë.

 “Nga janari deri në dhjetor të 2022 kjo Agjenci ka arrestuar 168 agjentë policie, kemi shpallur luftë pa kompromis ndaj korrupsioni brenda policisë së Shtetit”, theksoi Çuçi.  

Krah njëri-tjetrit, dy ministrat i dolën edhe njëherë krah projektligjit të shumë diskutuar të amnistisë fiskale.

“Përjashtohen totalisht personazhet e botës së krimit, politikane, zyrtarë, asnjë nuk mund ta shfrytëzojë këtë instrument”, vijoi ministri i Brendshëm.  

I pyetur se kujt i përkisnin 404 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e sanitares, ministri Çuçi tha se çështja tashmë i përket prokurorisë, ndërsa për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj ia la stafetën e përgjigjes policisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos