
Vrasja nga Shtetet e Bashkuara, e gjeneralit Qassem Soleimani, u pasua me një rezolutë të miratuar nga Parlamenti irakian ditën e diel, nëpërmjet së cilës i kërkohet largimi nga vendi i të gjitha forcave ushtarake të huaja.
Ne dokument nënvizohet se qeveria nuk do të lejojë shfrytëzimin e hapësirave tokësore, ajrore dhe detare irakiane, nga asnjë trupë ushtarake e huaj. Ky vendim i parlamentit irakian, do të thotë edhe pezullimin e misionit të koalicionit anti-ISIS, që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara, e që ka nisur veprim në vitin 2014, me kërkesë të vetë Bagdadit.
Në territorin irakian aktualisht gjenden 5200 trupa ushtarake amerikane. Rezoluta erdhi pas fjalimit në parlament të kryeministrit në detyrë Adel Abdul Mahdi, i cili bëri thirrje për t'i dhënë fund prezencës ushtarake të huaj ne token irakiane. (A2 Televizion)