
Parlamentarët iranianë thërritën “vdekje Amerikës”. Më konkret në fjalën e tij ishte kryeparlamentari Ali Larijaniti, i cili vrasjen e Qassem Soleimani nga Amerika e cilësoi një akt terrorizmi ushtarak.
“Trump, ju keni kryer një krim të rëndë. Por duhet ta dini që kjo aventurë e juaja do të ketë pasoja të rënda. Beni gati plaçkat dhe largohuni sa më parë nga rajoni ynë”.
I të njëjtës linjë ishte edhe ministri i qeverisë së Ajatollahut kur e cilësoi presidentin amerikan një terrorist me kostum. “Sikurse ISIS, Hitleri apo Genghis. Që të gjithë i urrejnë kulturat e ndryshme. Trump është një terrorist me kostum. Do ta mësojë shumë shpejt se askush nuk mund ta mposhtë kombin dhe kulturën e Iranit”.
Kjo ishte përgjigja për deklaratën e kreut të Shtëpisë së Bardhë mbi shënjestrimin e 52 zonave iraniane me rëndësi të madhe që lidhen me 52 pengjet amerikane të kapur nga Irani para shumë vitesh.
Sipas Trump, këto zona lidhen ngushtë me Iranin dhe kulturën iraniane. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e mbyllte postimin me faktin se SHBA-të nuk duan kërcënime të tjera. Por nuk u mjaftua me kaq.
“Ne i goditëm se ata na qëlluan të parët. Nëse e bëjnë sërish, gjë që nuk ia këshilloj, ne do i godasim edhe më fort, madje në një formë që nuk e kanë parë kurrë”.
Shumë i frikësohen një përshkallëzimi të situatës deri në përballje ushtarake duke pasur parasysh faktin se Irani nuk e ka ndaluar aktivitetin e tij bërthamor pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të fuqive të mëdha.
Në këtë aspekt, Dominic Raab, ministri i Jashtëm britanik, i cili pas bisedës me kryeministrin dhe presidentin iranian u shpreh për mediat se: “Duhet të anashkalojmë veprimet e paqëndrueshme dhe të nxituara të Iranit, duhet të përpiqemi të mos e acarojmë, por ta stabilizojmë situatën dhe ta bëjmë të qartë se nëse Teherani dëshiron të zgjedhë rrugën e duhur që është ajo diplomatike, sikurse e ka bërë presidenti Trump apo edhe ai francez Macron, atëherë kjo është e mundur”.
Askush nuk i do trazirat, aq më tepër në vende si Irani. Dhjetëra mijëra persona protestuan në Irak për vrasjen e Soleimanit, mijëra të tjerë në indi, por edhe në Amerikë. (A2 Televizion)