
Gjykata e Posaçme la të pandryshuar masën e sigurisë "arrest në burg" të caktuar më herët në mungesë për Hekuran Markun, ish-shoqëruesin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Ish-gardisti mohoi çdo akuzë të SPAK për përfshirje në trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali.
Pa kaluar 24 orë nga ekstradimi nga Gjermania në Shqipëri, Hekuran Marku, ish-shoqërues i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, u përball me Gjykatën e Posaçme. 47 vjeçari Marku, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte kanabis nga Shqipëria në Itali, u njoh me masën “arrest në burg” të caktuar në mungesë, masë që u la e pandryshuar nga gjyqtari Erion Çela.
Në sallën e gjyqit ish-gardisti Marku mbajti qëndrim mohues ndaj çdo akuze, por pranoi njohjen me një prej të pandehurve të tjerë të dosjes.
Përveç Markut, si pjesë e grupit kriminal dyshohet të jetë edhe ish-bodigardi tjetër i Tahirit, Agustin Deda. Ai u arrestua në Francë, ku më pas mundi të marrë një masë më të butë sigurie, ndërsa prej shqyrtimin e kërkesës për ekstradim.
Emrat e dy ish-bodigardëve të ministrit janë mes 31 të pandehurve të dosjes “Shpirti” në SPAK, të dyshuar për trafikimin e një sasie prej 6 ton kanabis nga Shqipëria në Itali në vitet 2014-2017.
Dosja ku janë të pandehur edhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota, zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Ilirjan Balla, si edhe ish-punonjës policie është në fazën e shqyrtimit paraprak. (A2 Televizion)