Ishulli u shkrumbua nga zjarri, me dhjetëra të vdekur e qindra të zhdukur

Nga A2 CNN
14 Gusht 2023, 17:04 | Bota
Ishulli u shkrumbua nga zjarri, me dhjetëra të vdekur e qindra të

Bilanci i viktimave nga zjarret që përfshin ishullin e Mauit në Hauai, arriti në 96 të dielën, teksa familjarët e personave të zhdukur kërkojnë dëshpërimisht për sinjale se të dashurit e tyre mund të jenë gjallë. Disa ditë pasi flakët e ferrit shkatërruan shumicën e qytezës turistike të Lahainas të martën dhe të mërkurën, ekipe zjarrfikësish vijojnë ende betejën për shuarjen e disa vatrave, ndërsa qentë nuhatës kërkojnë mes rrënojave për të mbijetuar.

Akanesi Vaa, 38 vjeç, është një prej të mbijetuarve të katastrofës natyrore më vdekjeprurëse në historinë e Hauait. Ajo rrëfen se kishte mbetur e bllokuar në trafik, bashkë me familjen e saj dhe se ishin larguar me këmbë mes tymit dhe flakëve duke shpëtuar për mrekulli.

“Papritur, flakët shpërthyen nga struktura e parkingut, mbi një pemë e më pas në një shtyllë elektrike. U përfshimë nga paniku, ndërsa fëmijët bërtisnin se po ndjenin shumë nxehtë në makinë. Në moment i thashë bashkëshortit se duhet të dilnim nga automjeti dhe të iknim me vrap”, tha ajo.

Guvernatori i Hauait, Josh Green, paralajmëroi se bilanci i të vdekurve mund të rritej, teksa zbuloheshin më shumë viktima. Ai u zotua se do të hetojë reagimin ndaj zjarreve, teksa shumë banorë ankohen se nuk i kishin dëgjuar sirenat e alarmeve që paralajmërojnë mbi emergjenca të mundshme. Qen të trajnuar për të zbuluar trupa kanë mbuluar deri më tani vetëm 3 përqind të sipërfaqes së kërkimet. Shumë qytetarë u mobilizuan në rrjetet sociale duke kërkuar ndihmë për gjetjen e të dashurve. Qindra mbeten të zhdukur, edhe pse shifra e saktë është e paqartë. Kostoja për rindërtimin e qytezës thuajse të fshirë nga harta të Lahainas, vlerësohen në 5.5 miliardë dollarë sipas agjencisë për menaxhimin e emergjencave federale. Mbi 2200 struktura thuhet të jenë shkatërruar dhe 850 hektarë tokë janë djegur.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos