
Pandemia e koronavirusit ka mbërthyer Italinë. Është rritur lehtë numri i rasteve të reja krahasuar me një ditë më parë dhe në 24 orët e fundit u shënuan rreth 3 000 të infektuar.
Që prej shpërthimit të Covid-19 në shtetin fqinj, janë prekur në total më shumë se 108 mijë persona. Rënie të lehtë shënoi numri i viktimave, ku në 24 orët e fundit humbën jetën 727 pacientë. Italia numëron në total më shumë se 13 000 viktima.
Ky përmirësim i lehtë nuk i atribuohet vetëm izolimit të banorëve, por edhe i investimeve në sistemin e shëndetësisë. Ashtu si në Wuhan të Kinës, edhe në Bergamo është ndërtuar një spital brenda 7 ditëve, ku po trajtohen pacientët e infektuar me Covid-19.
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, u është përgjigjur letrave të shumta të qytetarëve me një mesazh duke bërë thirrje për unitet në këto kohë krize: “Është një periudhë e trazuar, por do të dalim shpejt nga ky moment i vështirë”.
Ndërkohë, qeveria italiane po përgatit një plan për të ndihmuar kompanitë dhe bizneset në tejkalimin e krizës ekonomike të krijuar nga bllokimi i aktivitetit. Ndërsa kryetarët e rajoneve i kanë kërkuar kryeministrit Giuseppe Conte që të bëjë të qarta rregullat e izolimit, pasi shumë qytetarë po i keqkuptojnë.
Gjithashtu, liderë të shumtë rajonalë kanë lëshuar sulme të drejtëpërdrejta ndaj Bashkimit Europian, për qasjen ndaj Italisë gjatë kësaj pandemie. (A2 Televizion)