
Një ekip shkencëtarësh kinezë ka izoluar një serë antitrupash, të cilat sipas tyre janë ekstremisht të efektshme në bllokimin e aftësisë së koronavirusit të ri për të hyrë në qeliza. Zbulimi është i rëndësishëm pasi mund të ndihmojë në trajtimin ose parandalimin e COVID-19.
Zhang Linqi, profesor në universitetin Tsinghua në Pekin tha se një ilaç që do të shfrytëzonte antitrupat e izoluara nga ekipi shkencor, mund të përdorej më me efikasitet se sa trajtimet mbështetëse aktuale, përfshirë atë me plazmë. Kjo e fundit përmban antitrupa por kufizohet nga grupi i gjakut.
“Mes 20 antitrupave të para që testuam zbuluam se 2 deri në 4 janë në gjendje të bllokojnë hyrjen e virusit në qeliza. Strategjitë e tjera të përdorura deri më tani për të luftuar COVID-19 kanë qenë kryesisht mbështetëse dhe ne mendojmë se kombinimi i ndonjërës prej strategjive me trajtimin e propozuar prej nesh do të ishte një prej me efikaseve për trajtimin e sëmundjes dhe mbrojtjen e trupit njerëzor”, deklaroi profesor Zhang Linqi.
Që prej fillimit të janarit ekipi i Zhang po merret me analizimin e antitrupave nga gjaku i marrë prej pacientëve të prekur me COVID-19.
Mes 20 të parëve që u testuan, 4 antitrupa ishin në gjendje të bllokonin hyrjen e virusit, me dy prej tyre që e bënin këtë jashtëzakonisht mirë. Shkencëtarët janë të fokusuar tashmë në identifikimin e antitrupave më të fuqishëm dhe kombinimin e tyre të mundshëm për reduktimin e rrezikut të mutacionit të koronavirusit. (A2 Televizion)