Ditën e djeshme, rreth mesnatës, agjencitë e shtypit të gjithë botës filluan të shpërndanin lajmin që mund të përfaqësonte një dimension tjetër, ndoshta i pakthyeshëm, në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës.
Një zëdhënës i ushtrisë së Tel Avivit, Jonathan Conricus, kishte deklaruar se trupat tokësore izraelite kishin depërtuar në Rripin e Gazës, me mjete si tanke dhe autoblindë të ndryshëm, duke krijuar shqetësim në të gjitha kancelaritë ndërkombëtare. Dy orë më vonë, po i njëjti person sqaroi se një sulm tokësor i Gazës nuk kishte ndodhur, edhe pse teknikisht forca izraelite ndodheshin brenda atij territori, por në një enklavë që kontrollohet prej kohësh nga Izraeli.

Një gafë e bujshme, dhe tejet e rrezikshme duke marrë parasysh pasojat e mundshme, por që sipas analistëve mund të jetë në fakt një strategji e stërholluar e shtabit ushtarak.
Një "betejë psikologjike", për të krijuar panik te forcat e Hamasit që në orët e fundit ka hedhur më shumë se 1800 raketa nga Gaza në drejtim të territorit izraelit, ndërkohë që ushtria izraelite ka kryer më shumë se 1 mijë sulme ajrore duke synuar rreth 750 godina, në dyluftimet më të ashpra nga viti 2014. (A2 Televizion)