
Gjykata e Vlorës ka lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”, Pandeli Kokaveshin, bashkëpunëtorin e kandidatit të “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
Kokaveshit i është komunikuar masa e sigurimit në Tiranë, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ku ai u dërgua një ditë më parë, pas pretendimeve për probleme shëndetësore me zemrën.
Kujtojmë se, Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Himarës, i cili u arrestua dy ditë më parë me akuzën e blerjes së votave.
Gjykata gjithashtu shpalli moskompetencën për gjykimin e çështjes. Sipas kompetencës së parashikuar në ndryshimet e reja të kodit të procedurës penale në vendin tonë, hetimin e mëtejshëm ndaj kandidatit të koalicionit opozitar në Himarë, Fredi Beleri do ta zhvillojë SPAK, që ka autorizimin për hetimin e krimeve zgjedhore.
Sipas të dhënave të policisë së Vlorës, arrestimi i Belerit, është bërë pasi ka konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, parashikuar nga neni 328 i kodit penal. Së bashku me Belerin, policia ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, për të njëjtën akuzë, ndërsa avokati u lirua disa orë pas shoqërimit.
Në seancën gjyqësore ndaj Belerit ishte e pranishme edhe ambasadorja greke në vendin tonë Konstantina Kamitsi, ndërsa kreu PBDNJ, Vangjel Dule, nuk u lejua të ishte pjesë e procesit. Jashtë ambienteve të gjykatës, Dule e cilësoi arrestimin një vendim të paralajmëruar. (A2 Televizion)