
Shkollat dhe universitetet do të qëndrojnë të mbyllura në të gjithë Italinë deri në 15 mars. Vendimi u mor nga qeveria për të frenuar përhapjen e virusit covid-19, pavarësisht se Komiteti Tekniko-Shkencor kishte hedhur dyshime mbi efikasitetin e një mase të tillë.
Gjithashtu, në të gjithë vendin do të pezullohen të gjitha manifestimet dhe aktivitetet e çdo lloj natyre. Ndeshjet e kompeticionet sportive, përfshirë Serinë A, do të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Qeveria inkurajon punën nga shtëpia dhe ndryshim të stilit të jetesës për të paktën 30 ditë, pa shtrëngime duarsh e përqafime.
Kryeministri Giuseppe Conte tha: “Do të dalim së bashku nga kjo situatë, nga kjo emergjencë. Do të dimë si të tejkalojmë vështirësitë dhe të riafirmohemi në të gjitha vlerat tona. Kur kjo emergjencë të marrë fund, do të hedhim vështrimin prapa dhe jam i sigurtë se do të ndihemi krenarë se si një vend i tërë e përballoi me guxim dhe vendosmëri situatën. I vendosur për të ringritur kokën”.
Të dhënat e përditësuara flasin për mbi 2700 të prekur e 107 viktima në Itali. Por, lajmi i mirë është se të shëruarit janë më shumë se 270, mbi 8% e totalit të të prekurve.
Rastet e para u regjistruan në Valle D'Aosta, i vetmi rajon që deri më tani nuk kishte të prekur. (A2 Televizion)