
Presidenti i Venezuelës ka dalë me një kërkesë shumë të veçantë, gjatë një aktiviteti në media, ku prezantoi planin e ri kombëtar për shëndetin e femrave. Ai u bëri thirrje grave të vendit të tij të lindin të paktën nga 6 fëmijë dhe ta bëjnë këtë gjë “për të mirën e vendit”.
Gjatë fjalës së tij, presidenti Maduro përsëriti disa herë se gratë e vendit duhet të lindnin sa më shumë.
Venezuela prej disa vitesh është duke u përballur me një krizë ekonomike, e cila ka shkaktuar së fundmi dhe mungesë ilaçesh dhe ushqimesh. Në periudhën nga viti 2013-2018, sipas UNICEF rreth 13% e fëmijëve në këtë vend ishin të kequshqyer.
“Zoti të bekoftë që i ke dhënë jetë 6 vajzave dhe djemve të vegjël”, iu drejtua Maduro një gruaje që merrte pjesë në aktivitetin për shëndetësinë.
Megjithatë, kundërshtarët e Maduros reaguan ashpër pas kësaj deklarate të tij, duke e konsideruar atë një përpjekje për ta shkëputur vëmendjen nga kriza e vërtetë që ka përfshirë vendin. (A2 Televizion)