
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi ndërprerjen e negociatave të paqes me talebanët, edhe pse mendohej se kjo lëvizje e kreut të Shtëpisë së Bardhë do t’i jepte fund luftës 18-vjeçare të Amerikës në Afganistan.
Trump shkroi në Twitter fillimisht se do të takohej këtë të dielë me Presidentin afgan Ashraf Ghani dhe më pas me përfaqësues të talebanëve, por takimi sekret që do të mbahej në “Camp David” është anuluar, pasi militantët pranuan se ata qëndrojnë pas sulmit më të fundit, ku mbeti i vrarë një ushtar amerikan.
Bisedimet pritej të mbaheshin vetëm pak ditë përpara përvjetorit të 18 të sulmeve të 11 Shtatorit mbi Kullat Binjake. Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin dhe nisën sulmin ndaj talebanëve në vjeshtën e vitit 2001, pasi militantët e tyre pranuan se qëndronin pas sulmeve të Al Kaedas më 11 shtator. Një takim kokë më kokë në Camp David, vendi ku më herët janë nënshkruar negociata historike për paqen, do të ishte, sipas analistëve, një lëvizje e jashtëzakonshme diplomatike nga ana e Presidentit amerikan Trump.
Një rezultat final do të pritej të hënën, pas 9 raundeve të bisedimeve mes SHBA-ve dhe përfaqësuesve të talebanëve, të mbajtura në Doha.
“Fatkeqësisht, talebanët pranuan autorësinë e sulmit në Kabul, që vrau një nga ushtarët tanë më të mirë. Anulova menjëherë takimin, por edhe negociatat për paqe”, shkroi Trump.
Pjesë e arritjes së një marrëveshje të mundshme ishte edhe tërheqja e 5400 trupave ushtarake amerikane brenda 20 javëve të ardhshme, nëse në këmbim talebanët do të garantonin se Afganistani nuk do të përdorej kurrë më si bazë për terrorizmin.
Në Afganistan shërbejnë aktualisht 14 mijë trupa ushtarake amerikane. (A2 Televizion)