
Një video e xhiruar në një spital të Spanjës, ku shihet stafi mjekësor që duartroket një shofer taksie i cili merrte dhe dërgonte falas pacientë me koronavirus, është bërë virale.
Burri, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, gjatë kohës së pandemisë ka ndihmuar ata që kishin më shumë nevojë, duke rrezikuar ndërkohë shëndetin e tij.
Pasi u thërrit për të marrë një pacient, shoferi i taksisë befasohet kur shikon të gjithë stafin mjekësor të rreshtuar për ta duartrokitur në momentin që ai hyn në spital.
I befasuar, ai bën një gjest me duar si për të thënë që duartrokitja është e tepërt. Më pas, bën me duar një gjest përqafimi për të gjithë mjekët dhe infermierët.
Duke qenë se shoferi nuk u merrte para pacientëve, spitali i dha një zarf të mbushur me euro. (A2 Televizion)