
“Mendoja se gjykatat e mbanin fjalën, por as gjykatat. Këtu nuk mban më fjalën njeri. Ne në seancën e kaluar na u tha se do ta vazhdonim mbrojtjen pa avokat”, deklaroi Monika Kryemadhi.
Me gjithë vendimin e ndërmjetëm për ta vazhduar pa praninë e avokatëve procesin ndaj Ilir Metës e Monika Kryemadhit, Gjykata e Posaçme shtyu seancën e së enjtes për më 5 nëntor. Mbrojtësit e të pandehurve ndodheshin në sallë, por refuzuan të ulen pranë klientëve, në zbatim të bojkotit të avokatëve. Relatimi nga gjykata i faktit se një vendim i Apelit Administrativ e ka pezulluar bojkotin, nuk i bindi dy mbrojtësit.
Të pandehurit Meta dhe Kryemadhi shprehën gatishmëri për t’u mbrojtur pa avokat, por prokurori i SPAK ishte kundër, duke arsyetuar se prania e avokatit ishte e detyrueshme.
Teksa gjykata u tërhoq në dhomë këshillimi, ish-presidenti Meta nuk kurseu batutat ndaj transferimit të kryebashkiakut Erion Veliaj në burgun e Fierit.
“Çojini ndonjë gjë për të ngrënë Veliajt, se do e lënë edhe pa bukë këta, vetëm se kritikoi Vuçiçin, i tha Meta nga kafazi një prej mbështetësve të tij tek publiku. Çoni njeri në Fier, se do ngelë pa bukë. Do ngelni edhe pa kryetar bashkie”.
Pas kthimin në sallë gjykata vlerësoi se nuk ndodhej më në kushtet e vazhdimit të gjyqit pa avokatë dhe për seancën e radhës caktoi mbrojtës kryesisht për të pandehurit.
Procesi Meta-Kryemadhi ndodhet në fazën e parashtrimeve hyrëse të të pandehurve. (A2 Televizion)