Johnson flet me Merkel: E pamundur një ujdi e re për Brexit

Nga A2 CNN
8 Tetor 2019, 16:12 | Bota
Johnson flet me Merkel: E pamundur një ujdi e re për Brexit

Arritja e një ujdie për Brexit-in është thuajse e pamundur. Kështu tha një burim brenda qeverisë britanike, pas telefonatës mes kryeministrit Boris Johnson dhe kancelares Angela Merkel. Shefi i ekzekutivit të Londrës foli me kancelaren gjermane lidhur me propozimet që i kishte bërë Brukselit, por, sipas burimit të cituar nga BBC, Merkel e kishte bërë të qartë se një ujdi e bazuar tek ato, ishte e pamundur.

Kancelarja thuhet gjithashtu ta ketë bërë të qartë se asnjë marrëveshje nuk do të ishte e pranueshme, nëse Irlanda e Veriut nuk do të mbetej në unionin doganor. Më herët, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i përcolli një mesazh publik kryeministrit britanik: “Këtu nuk bëhet fjalë për të fituar një lojë idiote. Bëhet fjalë për të ardhmen e Europës dhe Britanisë së Madhe, e gjithashtu për sigurinë dhe interesat e qytetarëve tanë. Ju nuk doni një ujdi, nuk doni një shtyrje, nuk doni të tërhiqeni, atëherë ku po shkoni?” 

Kryeministri britanik këmbëngul se Britania e Madhe do të shkëputet nga unioni, me ose pa ujdi në 31 tetor. Kjo pavarësisht të ashtuquajturit projektligji Ben, i miratuar nga ligjvënësit muajin e kaluar, e që e detyron Johnsonin të kërkojë një tjetër shtyrje të Brexit-it.  

Numri 1 i Londrës i parashtroi propozimet e reja Brukselit gjatë kësaj jave, ku fokusi kryesor ishte tek zëvendësimi i të ashtuquajturit “backstop”, mekanizmi që parandalon kthimin e kufijve të fortë me Irlandën e Veriut.

Presidenti francez Emannuel Macron tha se BE do të vendoste në fund të javës nëse një ujdi e re ishte e mundur.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos