Johnson shpall një strategji të re pas Brexit: Do fuqizojmë ushtrinë, mori fund epoka e tërheqjes

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2020, 18:54 | Bota

Kryeministri Boris Johnson ka shpallur një strategji të re për përforcimin dhe modernizimin e dukshëm të ushtrisë britanike. Jo thjesht një shtim të fondeve, që sipas tij do të jenë “më të mëdhatë në 10 vitet e fundit”, por një qasje e re gjeopolitike, që pas Brexit synon të rikthejë sërish Mbretërinë e Bashkuar në protagoniste të dinamikave botërore.

“Mori fund epoka e tërheqjes”, ishin fjalët e kryeministrit, terminologji që u kritikua si tepër agresive nga lideri laburist Keir Stramer, edhe pse shtimi i fondeve për ushtrinë, rreth 20 miliardë euro,  u përshëndet si “vendim i nevojshëm”.

Aeroplanmbajtësja "Queen Elisabeth" do jetë kryesuesja e një flotë britanike që do të pozicionohet në Azinë lindore

Johnson shtoi edhe disa detaje teknike ku zbuloi se pjesë e armatimit tradicional do të zëvendësohet me teknologjinë laser, në mënyrë që “ushtarëve tonë mos t’i mungojnë kurrë plumbat’, siç tha vetë Johnson.

Kryeministri tregoi edhe që vitin e ardhshëm aeroplanmbajtësja "Queen Elisabeth" do jetë kryesuesja e një flotë britanike që do të pozicionohet në Azinë lindore, në manovrat e cilësuar si “më ambiciozet e dy dekadave të fundit”, një tregim muskujsh të drejtpërdrejtë ndaj fuqisë së Pekinit në atë zonë.      (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos