
Botërori i MotoGP do të nisë në Losail, në vetëm 200 kilometër distancë në vijë ajrore nga Sakhir, aty ku do të startojë edhe Formula 1. Data e përcaktuar për startin e Botërorit 2021 është e diela e 28 marsit.
Federata e Motorçiklizmit është shfaqur mjaft optimiste, duke llogaritur që kalendari i sezonit të ri do të përbëhet nga maksimalisht 20 gara, megjithatë disa evente mbeten të kushtëzuara nga zhvillimet e pandemisë dhe aprovimi i qeverive lokale.
Çmimi i Madh i Katarit, në cirkuitin e Losail-it do të nisë sezonin, me motorët që do të qëndrojnë aty edhe për fundjavën e parë të muajit prill, për garën e dytë dhe këtë herë me emrin Çmimi i Madh i Dohas.
Kampionati do të kthehet në Europë dy javë më pas, të dielën e 18 prillit, në pistën e Portimao-s. Edhe në këtë rast është e mundur që Cirkuiti i Algrave-s të presë një garë dyshe të MotoGP dhe Formula 1. Në kalendar figuron edhe Çmimi i Madh i Finlandës më 11 korrik, ndërsa Italia ruan datat standarde me Çmimin e Madh të Mugello-s në San Marino më 30 maj dhe në Riviera të Riminit më 19 shtator.
Në vjeshtë, por në një datë që mbetet ende për t’u përcaktuar, janë shtyrë garat në Argjentinë dhe në Amerikë. Botërori 2021 mbyllet në Valencia më 14 nëntor, ndërkohë që Çmimi I Madh i Indonezisë është lënë si etapë rezervë në kalendar, nëse ndonjë garë rrezikon të anulohet prej pandemisë. (A2 Televizion)