Kombëtarja e futsal, Covid-19 komplikon debutimin e Shqipërisë në Elite Round

Nga A2 CNN
23 Janar 2021, 13:59 | Sporte të tjera
Kombëtarja e futsal, Covid-19 komplikon debutimin e Shqipërisë

Për herë të parë në Elite Round. Shqipëria e futbollit të sallave do të nisë aventurën mes përfaqësueseve më të rëndësishme të Europës, më 27 janar kundër Kroacisë dhe me duelin ndaj Ukrainës më datë 31 janar. Por, eliminatoret drejt Kampionatit Europian 2022 janë komplikuar për shkak të pandemisë Covid-19. Ekipi duhet të heqë dorë nga katër lojtarë kryesorë, tre prej të cilëve janë të infektuar.

“Nga formacioni titullar, ose mund të themi nga 14 lojtarët e ekipit, na mungojnë katër lojtarë kryesorë. Është kapiteni dhe tre lojtarë të rëndësishëm. Situata është e pazakontë për ne, pasi luajmë ndaj një skuadre si Ukraina që është mes 6-7 ekipeve më të mëdha në botë. Jemi në një nivel shumë të lart në Elite Round dhe kundërshtarë që nuk i kemi patur asnjëherë. Do bëjmë sërish testin e Covid-19 dhe nuk e dimë si do dalim me lojtarët që kemi. Shpresojmë mos të kemi mungesa të tjera”, shprehet Erind Resuli, trajneri i kombëtares së futsal.

Përballë kundërshtarëve të mëdhenj dhe vetëm me Danimarkën që cilësohet në të njëjtin nivel, kuqezinjtë nuk do të hyjnë në fushë të dorëzuar.

“Është hera e parë qe e prekim të këtë, kemi të njohura dhe panjohura. Dy prej kundërshtarëve janë të nivelit shumë të lartë, madje Ukraina ka qenë kampione. Targeti që kemi ne është të përfaqësohemi mirë dhe të tregojmë vlerat tonë, për të treguar që nuk jemi rastësisht këtu. Pastaj ky futboll është i çuditshëm. Por, një peng është fakti që nuk do të jemi me ekipin e plotë. Ato që kanë për të humbur janë ekipet kundërshtare”, tha Erind Resuli, trajneri i kombëtares së futsal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos