
Lojërat Olimpike rrezikojnë të anulohen. Ky është lajmi i publikuar nga gazeta britanike “The Times”. E përditshmja prestigjioze citonte një funksionar të qeverisë japoneze, që tregoi për një marrëveshje të nënkuptuar rreth pamundësisë për të organizuar Olimpiadën edhe gjatë këtij viti, për shkak se emergjenca e Covid-19 vazhdon.
I njëjti burim shpjegoi se tashmë objektivi i Japonisë dhe i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar është që “të mos bëjnë figurë të keqe”, duke përcaktuar një datë tjetër për evenimentin, ndoshta në vitin 2032, që është edhe periudha e parë e lirë.
Lojërat Olimpike në Tokio duhej të zhvilloheshin në vitin 2020, por pandemia solli shtyrjen e saj me një vit, me shpresën se situata do të përmirësohej.
Ndërkohë, qeveria japoneze përgënjeshtroi zyrtarisht zërat për anulimin e evenimentit. Zëvendëssekretari i kabinetit qeveritar, Manabu Sakai, doli në një konferencë për shtyp, duke hedhur poshtë zërat se vendimi për anulimin e Olimpiadës është marrë, por nënvizoi se prej ngjarjeve globale, qeveria duhet të marrë së afërmi një vendim.
“Deri në atë moment, mbetemi të vendosur që të bëjmë gjithçka për të organizuar Lojërat”, tha Sakai.
Në të njëjtën kohë, edhe kryeministri Yoshihide Suga foli për masa speciale anti-Covid, që po merren në shqyrtim nga qeveria japoneze, për të bërë të mundur që Olimpiada të jetë e sigurt. Edhe Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, garantoi se nuk ekziston një “plan” për të anuluar eventin, por nuk përjashtoi se mund të shqyrtohet ulja e numrit të spektatorëve të pranishëm. (A2 Televizion)