
Rubin Hebaj rikthehet zyrtarisht te skuadra e Teutës. Pas një sezoni si kampion te Shkëndija e Tetovës, shkodrani është rikthyer te bregdetarët me të tjera objektiva. Pas largimit të maqedonasit Giorgiev, drejtuesit e Teutës u vunë menjëherë në punë për të gjetur një tjetër numër 9 në skuadër dhe afrimi i parë ishte pikërisht shkodrani Rubin Hebaj.
Një emër i dashur për tifozerinë pasi 23-vjeçari fitoi me Teuten një Kupë Shqipërie dhe një Superkupë, ndërsa tani do e ketë dhe më të vështirë për të arritur synimet duke parë gjendjen që skuadra ndodhet.
Ndërkohë, Partizani ka zyrtarizuar transferimin e Kallakut. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, “demat e kuq” kanë bërë të ditur se mesfushori do të jetë pjesë e Partizanit deri në fund të sezonit. “FK Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me Sherif Kallakun. Mesfushori i spikatur, bashkohet me 16-të herë kampionët e Shqipërisë pas eksperiencave të suksesshme në kampionatin tonë me ekipet e Laçit dhe Teutës si dhe jashtë vendit te NK Lokomotiva Zagreb. Drejtuesit dhe mesfushori me tipare sulmuese, kanë arritur marrëveshjen me klubin kroat të NK Lokomotiva Zagreb për huazimin e 23-vjeçarit, i cili do të jetë pjesë e të kuqve deri në fund të këtij sezoni futbollistik”.
Aktualisht Teuta është në vendin e gjashtë me 18 pikë po aq sa Partizani, shumë larg zonës Europë apo dhe mbrojtjes se titullit kampion, dy objektivat primarë të skuadrës. (A2 Televizion)