
Policia e Shkodrës, ka arrestuar një 33-vjeçar i cili u kap me armë zjarr dhe një sasi lënde narkotike.
Sikurse njofton policia, Saimir Mali u vu në pranga pas kontrollit të ushtruar në banesë, në të cilën iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, krehër me fishekë luftarakë dhe një sasi lënde narkotike kanabis.
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe "Shqiponjat" në DVP Shkodër, bazuar dhe në informacionet e marra se një shtetas posedonte armë zjarri dhe sende të kundërligjshme me vete, menjëherë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit për të cilin disponohej informacioni.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë luftarakë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. M., 33 vjeç, banues në Ganjollë, Shkodër dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje“ dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, njofton policia. (A2 Televizion)