
Disa muaj pasi ëndrra e saj presidenciale u pre në mes, Kamala Harris kurorëzon suksesshëm një tjetër qëllim, jo aq ambicioz si i pari por gjithashtu historik.
Harris, do te jete e para femër dhe me ngjyrë që do të shërbejë si zv/presidente e Shteteve të Bashkuara. Edhe kur iu bashkua Senatit Amerikan në vitin 2016, si përfaqësuese e Kalifornisë, ajo u bë gruaja e parë indiano-amerikane që mori postin e senatores së SHBA-ve dhe e dyta afroamerikane.
Ish-rivale në garën e brendshme të demokratëve për zgjedhjet presidenciale 2020, Kamala u zgjodh nga Joe Biden si kandidate për postin e zv/presidentit, një lëvizje e diktuar edhe prej protestave masive kundër racizmit që përfshinë Amerikën dhe mbarë botën pas vrasjes së George Floyd.
Harris u konsiderua si zgjedhja me sigurte; një aleate e besueshme e establishmentit demokrat e me prioritete politike fleksibël, ajo forcoi mbështetjet për Biden mes komunitetit me ngjyrë, veçanërisht grave.
Si senatore, Harris ka qenë një nga mbrojtëset më të forta të reformës në shëndetësi, dhe reformave gjithëpërfshirëse të emigracionit, për lehtësimin e procedurave të bashkimin familjar në SHBA. Kamala Harris fitoi një profil ndërkombëtar për marrjen në pyetje të zyrtarëve të administratës Trump, gjatë seancave dëgjimore në Senat.
E lindur në Oakland të Kalifornisë, 55-vjeçarja Kamala është bijë e dy prindërve emigrantë, e ëma me origjinë indiane Shyamala Gopalan, biologe dhe kërkuese shkencore kundër kancerit të gjirit, dhe i ati Donald J. Harris një xhamajkan, profesor ekonomie pranë universitetit të Oxford.
Harris në çdo dalje publike ka dashur gjithmonë të theksojë krenarinë për prejardhjen e saj por duke e përshkruar veten si amerikane. Ajo ka studiuar shkenca politike dhe ekonomike pranë universitetit të Howard, një institucion arsimor i cili ndiqet më së shumti nga afro-amerikanët, fakt që sipas Kamalas ka ndikuar pozitivisht në formimin e saj sidomos në karrierën politike.
Ajo po ashtu ka një diplomë në drejtësi nga kolegji Hastings. Në vitin 2003, asaj iu besua posti i kryeprokurores në distriktin e San Franciskos, përpara se të zgjidhej kryeprokurorja e parë me ngjyrë e Kalifornisë. Gjatë karrierës së saj në sistemin e drejtësisë Kamala njihej si një nga prokurorët më të ashpër ndërsa angazhohej në rastet e luftës ndaj bandave kriminale, trafikut të drogës apo dhunës seksuale. Kamala është e martuar me Douglas Emhoff, i cili ka dy fëmijë nga martesa e tij e mëparshme, Cole dhe Ella. (A2 Televizion)