
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre zyrtarët e ushtrisë, të arrestuar disa ditë më parë në Zall-Herr në kuadër të një operacioni të policisë së shtetit, ku u zbuluan dhe sekuestruan qindra rrënjë kanabis sattiva, brenda raportit ushtarak.
Sipas të dyshuarve, të cilët nuk e kanë pranuar autorësinë e veprës penale, ata nuk mund ta kontrollonin të gjithë hapësirën në fjalë, pasi bëhet fjalë për 140 hektar tokë.
Tre ushtarakët akuzohen për “shpërdorim detyre”. Ndërkohë, mbrojtja e të arrestuarve pretendoi se pa një akt-ekspertimi, të pandehurit nuk mund të akuzohen për “kultivim të lëndëve narkotike”.
Në sallën e gjyqit, ata kanë pretenduar se kanë lajmëruar eprorët e tyre për territorin e thyer dhe për pamundësinë fizike që ata kishin për ta kontrolluar të tërin.
Kujtojmë se, si rezultat u arrestuan për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak:
– Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë;
– Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin;
– Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.
Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë:
– A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture;
– P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge;
– I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier;
– P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti. (A2 Televizion)