Kapen 3 mashtruesit e kërkuar nga drejtësia shqiptare, dy në Itali dhe një në Amerikë

Nga A2 CNN
1 Gusht 2023, 16:55 | Kronikë
Kapen 3 mashtruesit e kërkuar nga drejtësia shqiptare, dy në

Interpol Tirana bën me dije se falë bashkëpunimit me forcat partnere është bërë i mundur lokalizimi dhe më pas arrestimi i tre personave të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, dy prej të cilëve italianë, ndërsa një i tretë shqiptar që jetonte në Shtetet e Bashkuara.

Tre personat tashmë të arrestuar dhe në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë janë dënuar nga drejtësia shqiptare për vepra penale që kanë lidhje me mashtrimin në shuma të mëdha.

Kështu, në Itali u arrestua  Alesandro Locateli, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 7 vjet burgim, për veprën penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", kryer në bashkëpunim. 

Në vitin 2010, ky shtetas ka kryer dy transferta nga Sllovenia në Shqipëri, në shumën 500 000 euro, të cilat e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e këtij shtetasi, në shtetin italian.

I arrestuari i dytë është Stefano Bottura, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 9 vjet burgim, për veprën penale "Mashtrimi kompjuterik".

Ky shtetas me anë të një skeme mashtrimi, kishte krijuar në Shqipëri një kompani në të cilën ka kryer disa transanksione, ku shuma e parave të hedhura në karta, ka qenë më e madhe se shuma e blerjeve të kryera.

Në bashkëpunim me Interpolin amerikan është arrestuar dhe shtetasi Elton Daka në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale "Mashtrimi".

Ky shtetas, duke ushtruar profesionin e tij si avokat, në vitin 2013, ka mashtruar dy shtetas të përfshirë në një aksident, të cilëve iu ka marrë vlera të konsiderueshme parash dhe nuk ua ka zgjidhur çështjen.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos