Një shtetas italian është vënë në pranga nga policia në Muriqan, pasi është kapur me 53 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate.
“Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, drejtuesin e mjetit tip “Fiat”, shtetasin italian C. T., 60 vjeç, i cili dyshohej se transportonte lëndë narkotike. Nga kontrolli i ushtruar në mjet, duke përdorur mjete të specializuara për evidentimin dhe zbulimin e lëndës narkotike, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën në një bombol gazi të futur brenda një bombole tjetër gazi, rreth 30 kg lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate. Po në vijim të kontrollit të imtësishëm rezultoi se brenda dy bombolave gazi të futura brenda dy bombolave të tjera gazi ishin të fshehura 20 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate të mbështjellë me natriban”, njofton policia.
Pas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Italian C. T., 60 vjeç. (A2 Televizion)