Karburanti, materialet dhe krahu i punës po rrisin koston e ndërtimit

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2022, 20:16 | Ekonomi
Karburanti, materialet dhe krahu i punës po rrisin koston e ndërtimit

Jo vetëm ushqimet dhe karburantet, por edhe të ndërtosh në Shqipëri është sot më e kushtueshme. Lufta e vazhdueshme në Ukrainë, kriza e çmimeve dhe kriza energjetike po ushtrojnë një presion të madh mbi kostot e ndërtimit, për çdo zë: nga materialet tek transporti dhe pagat.

Instituti i Statistikave i përmbledh të gjitha këto shpenzime në Indeksin e Kushtimit në Ndërtim për Banesa. Shtrenjtimi i këtyre kostove, i nisur që përpara luftës, ka vazhduar edhe në tremujorin e tretë të këtij viti, duke prekur një kulm të ri prej 7.2% më shtrenjtë.

Në krye të shtrenjtimit është komponenti i shpenzimeve për energji, ku përfshihet dhe karburanti, 15.5% më i shtrenjtë, ndjekur nga materialet dhe shpenzimet për paga. Presioni i tregut të punës për rroga më të larta dhe projeksionet për kostot e lëndëve të para, janë ndër faktorët kryesorë që kanë çuar në rënien e besimit të sektorit të ndërtimit. Ndërse tek qytetarët, kjo po reflektohet në rritjen e vazhdueshme të çmimit për metër katror në ndërtimet e reja.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, një banesë në vend dhe veçanërisht në kryeqytet, kushton sot mesatarisht 40% më shtrenjtë se një vit më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos