Kategoria Superiore, Kukësi luan shanset e titullit në Laç

Nga A2 CNN
19 Qershor 2020, 15:29 | Futboll
Kategoria Superiore, Kukësi luan shanset e titullit në Laç

Shanset e Kukësit për titullin kampion kalojnë nga Laçi. Skuadra e Orges Shehit duhet të vijojë ecurinë pozitive, përballë një prej rivalëve më pak komodë. Pas suksesit ndaj Flamurtarit, që e ngriti në tre numrin e fitoreve me radhë, veri-lindorët synojnë të shfrytëzojnë momentin dhe të evitojnë hapa fals, përpara sfidës direkte me Tiranën, që do të luhet pas dy javësh.

“Jemi në situatë të mirë, por jemi koshientë që duhet të vazhdojmë këtë rrugë, pasi është e vetmja mundësi që të jemi pranë objektivave. Duhet të fitojmë ndeshjet tona. Kishim dhjetë finale, kanë mbetur shtatë, kështu që jemi të përqendruar vetëm te finalet tona”, u shpreh Orges Shehi, trajner i Kukësit.

Në ndeshjet e tjera, Teuta kërkon rikthimin në vendin e tretë, duke vendosur si pikënisje paraqitjen e fundit me Tiranën, që për trajnerin Martini ishte ndeshja më e mirë e sezonit.

“Normal që ishte ndeshja më e mirë që kemi zhvilluar deri më tani. Duhet të shfrytëzojmë këtë moment të mirë dhe moralin që kemi, për të vazhduar përpara. Hyjmë në çdo ndeshje për fitore, mbi të gjitha me Luftëtarin, që tashmë ka rënë nga kategoria”, tha Edi Martini, trajner i Teutës.

Ndeshja tjetër e së shtunës është ajo ndërmjet Bylisit dhe Skënderbeut, me korçarët që synojnë të ruajnë pozitat në zonën e kupave të Europës, edhe pse dënimi i UEFA-s nuk u’a lejon pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos