“Kam 1% meritë për titullin”, Ardian Mema: Tirana do të shpallet kampion, keqardhje që nuk më pritën pak më shumë

Nga A2 CNN
18 Qershor 2020, 17:38 | Futboll
“Kam 1% meritë për titullin”, Ardian Mema: Tirana do

Ish-trajneri i Tiranës, Ardian Mema, në një intervistë ekskluzive për A2, u shpreh i bindur se Tirana do të arrijë të fitojë titullin kampion këtë sezon, nëse do të dijë të administrojë mirë lojën dhe rezultatet.

“Tirana nuk ka ndeshje të lehta, por as shumë të forta. Po të dijë të administrojë mirë lojën dhe rezultatet, do ta ketë shumë të thjeshtë. 6 pikë janë shumë në futboll, sidomos kur kanë mbetur 7 javë. Tirana do të shpallet kampion pasi nuk ka ekip që luan më mirë sesa Tirana”, tha Mema.

Kur u pyet nëse i vjen keq që nuk do të jetë ai trajneri që do ta shpallë Tiranën kampion, Mema u shpreh: “Do të doja që ta përfundoja sezonin, por nuk e ka në dorë trajneri. Nëse nuk ke rezultate, do të largohesh. Unë nuk e lashë skuadrën larg kreut, por vetëm me 3 pikë diferencë nga vendi i parë. Keqardhja është e madhe sepse ti bën një projekt, afron dhe largon lojtarë dhe mendon mënyrën se si do të luash. Më vjen keq sepse duhet të më kishin pritur edhe pak më shumë, që të shikonin se si do të shkonin gjërat. Më lanë që të ndërtoja ekipin dhe kjo do të thotë se kishin besim te unë, por ndodh që jo të gjithë të presin gjatë. Për shembull, Partizani po e pret trajnerin, pavarësisht 7 humbjeve”.

Mema pati fjalë të mira edhe për trajnerin aktual të Tiranës, Emmanuel Egbo: “Më bëhet qejfi sepse ka qenë pjesë e stafit dhe duke qenë pjesë, i dinte të gjitha gjërat. Më ngushëllon fakti që ai staf që ishte ka vijuar me ecuri pozitive”.

Në fund, Mema tregoi edhe meritën që ka ai nëse bardheblutë fitojnë kampionatin: “1% vlerë do të kem unë te titulli i Tiranës, nëse e fiton. Meritë kanë tifozët, klubi dhe të gjithë të tjerët, unë dua vetëm 1%”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos