Ka shkuar në pesë numri i viktimave, mes tyre edhe një foshnjë 9-muajshe, pasi një makinë u fut brenda një zone këmbësorësh në qytetin perëndimor gjerman Trier, ndërsa 15 persona mbetën të plagosur.
Autoritetet thanë se shoferi ishte një 51-vjeçar gjerman, i cili u arrestua menjëherë, ndërsa makina e tij u sekuestrua.
Zyrtarët deklaruan se i dyshuari ishte i dehur dhe se nuk ka asnjë shenjë që incidenti të ishte i motivuar politikisht.
Dëshmitarët thanë se njerëzit ulërinin nga paniku dhe disa u hodhën në ajër nga makina që udhëtonte me shpejtësi të lartë. Kryebashkiaku e përshkroi këtë skenë si "të tmerrshme".
Incidenti ndodhi rreth orës 13:45 me orën lokale në rrugën e këmbësorëve Fleischstrasse të Trier, afër portës së famshme romake të qytetit, Porta Nigra.
Një treg i Krishtlindjeve që mbahet zakonisht në zonë u anulua këtë vit për shkak të pandemisë Covid-19, por dyqanet ishin të hapura, ndërsa rrugët u rrethuan.
I dyshuari përshkoi 1 km duke goditur njerëzit në mënyrë të rastësishme, përpara se të ndalohej nga makina e policisë, tha zëdhënësi i policisë së Trier, Karl-Peter Jochem.

"Ne kishim një shofer që ecte si i çmendur në qytet ... Unë eca në qendër të qytetit dhe ishte e tmerrshme”, tha kryebashkiaku në një konferencë për shtyp.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kancelarja Angela Merkel, e cila tha në një deklaratë: "Lajmet nga Trier janë shumë të trishtueshme. Dhimbja ime shkon për të afërmit e njerëzve që u shkëputën nga jeta e tyre kaq papritur dhe me forcë. Unë mendoj për ata që kanë pësuar dëmtime të rënda dhe i uroj të kenë forcë".

Incidenti ka tronditur Trier, një qytet mesjetar me rreth 110 000 banorë dhe 720 km në perëndim të Berlinit, afër kufirit me Luksemburgun. Policia u ka kërkuar qytetarëve që të mos ndajnë fotografi dhe pamje të incidentit në rrjetet sociale.
Siguria në zonat e këmbësorëve në të gjithë Gjermaninë u forcua, pasi një militant islamik çoi një kamion të rrëmbyer në një treg të Krishtlindjeve në Berlin në 2016, duke vrarë 12 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Ai u qëllua për vdekje nga policia italiane katër ditë më vonë. (A2 Televizion)
