
Komisioni Europian propozon një paketë të paprecedentë stimulimi prej 750 miliardë eurosh, e përbërë kryesisht nga grante që nuk ka nevojë të rimbursohen për të tejkaluar recesionin më të thellë në historinë e BE.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të prezantojë detajet para europarlamentarëve gjatë pasdites, pasi Kolegji i Komisionerëve të aprovojë fondin e rimëkëmbjes.
Por, siç mësohet, ai përfshin një total prej 500 miliardë euro që do t’u shpërndahen shteteve më të goditura nga pandemia në formën e granteve dhe 250 miliardë euro të tjera shtesë, në formën e kredive të buta.
Burime të cituara nga mediat italiane thonë se Italia do të përfitojë shifrën më të lartë, gati 173 miliardë euro, 81 miliardë prej të cilave në formën e ndihmave.
Spanja pritet të sigurojë 140 miliardë, mes granteve dhe kredive të buta. (A2 Televizion)