Një restorant tradicional në Tajvan ka krijuar një meny të veçantë të quajtur “Këmba e Godzillës”, ku duket se krijesa e famshme e filmave japonezë do të dalë nga pjata dhe do t’iu kapë.
Pjata, e cila ofrohet në qytetin Douliu në jug të Tajvanit, mes shumë përbërësve ka edhe një krah krokodili.
Pronari i restorantit, Chien, tha për CNN Travel se në pjatë ka vezë thëllëze, mish derri, misër, kërpudha, erëza të ndryshme dhe këmbë krokodili, specifikisht të përparmen.
Chien shpjegoi që, duke qenë e vështirë për të siguruar këmbë krokodili, çdo ditë mund të shërbehen vetëm dy pjata të tilla, që kushtojnë 50 dollarë secila.
Për të krijuar këtë recetë duhet shumë punë. Pasi pastrohet, këmba e krokodilit fërkohet me alkool dhe një përzierje erëzash djegëse, si dhe xhinxher, hudhër e qepë të njoma. Më pas, qëndron e marinuar për 2 orë. Deri në përgatitjen finale, duhen 3 orë.
“Shumë klientë thonë që mishi i krokodilit ngjason me atë të pulës, por është më elastik dhe më i butë”, thotë Chien.
Për të shijuar këtë delikatesë, lista e pritjes është e gjatë. Sipas Chien, deri në fund të gushtit nuk ka më vende të lira në restorant.
Në Tajvan është e ligjshme që të konsumohet mishi i krokodilit e madje edhe të rritet në ferma për këtë qëllim, për shkak se nuk është pjesë e listës së specieve në rrezik zhdukjeje. (A2 Televizion)



