
Mediat britanike kanë publikuar të premten një artikull ku raportojnë disa të dhëna, sipas tyre zyrtare, se kompania AstraZeneca sakrifikoi 29 miliardë dollarë duke e shitur vaksinën e saj kundër koronavirusit pa përfitim.
Kompania britanike është zotuar të prodhojë 3 miliardë doza të vaksinës të zhvilluar me Universitetin e Oksfordit për një çmim mesatar prej vetëm 5 dollarësh për dozë që konsiderohet minimumi i nevojshëm për të mbuluar kostot.
Vendimi i saj për të hequr dorë nga fitimet e mëdha është një veprim i paparë nga një biznes shumëkombësh, duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ta konsiderojë atë si vaksina për botën.
Por kritikët në BE janë përpjekur ta sulmojnë kompaninë për problemet që lidhen me furnizimin dhe ta fajësojnë atë për vonesat e shpërndarjes së vaksinave në vendet e bllokut. Disa madje e kanë akuzuar atë për pandershmëri dhe fshehje të dozave.
Këto sulme thuhet se kanë lënë të tronditur drejtuesit e AstraZeneca dhe për këtë arsye disa prej tyre kanë sugjeruar të heqin dorë nga i njëjti vendim në të ardhmen. Nëse fitimi do të kishte qenë qëllimi i saj kryesor, Astra mund të kishte rritur ndjeshëm të ardhurat e saj.
Daily Mail ka mësuar se nëse firma do të dyfishonte çmimin për vaksinë në 10 dollarë, ajo mund të arrinte një përfitim prej 13 miliardë dollarësh në të ardhura, ndërsa 3-fishimi i saj do të sillte mbi 21 miliardë dollarë.
Rivalët e AstraZeneca kanë shënuar fitime të mëdha gjatë pandemisë. Vaksina Pfizer-BioNTech kushtuar rreth 20 dollarë për dozë dhe Moderna rreth 32 dollarë. (A2 Televizion)