
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë reaguar ndaj deklaratave të bëra më herët gjatë ditës nga ministri serb i Mbrojtjes rreth stabilitetit në rajon.
Millosh Vuçeviç u kujtoi dy vendeve të rajonit se me njohjen e Pavarësisë së Kosovës mund t’i prese fati i Ukrainës.
“A flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A flini të qetë? Ata mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe i kanë zgjidhur problemet e tyre me të. Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur ata u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre dhe se asgjë nuk mund t’u ndodhë”, deklaroi Vuçeviç.
Këto deklarata, ministri i Jashtëm i Maqedonisë të Veriut, Bujar Osmani i ka cilësuar si të papërshtatshme. Ai thekson se Maqedonia e Veriut është për paqe në rajon.
“Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Në pritje të sqarimit nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, shkruan Osmani në Twitter. (A2 Televizion)