
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka ndezur dhe më tej konfliktin me Armeninë me deklaratën e tij të fundit, se lufta mes dy vendeve do të përfundojë vetëm kur vendi fqinj të largohet nga territori i Nagorno-Karabakh.
“Kemi vetëm një kusht; forcat armene duhet të largohet në mënyrë të menjëhershme dhe pa asnjë kusht nga tokat tona”, u shpreh presidenti Ilham Aliyev.
Luftimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit vijojnë tashmë prej 3 ditësh dhe sipas të dhënave të fundit raportohet se më shumë se 100 persona kanë humbur jetën, mes të cilëve dhe civilë.
I gjithë konflikti është për rajonin e Nagorno-Karabakh, zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit, por që qeveriset nga armenët. Për këtë arsye dy ish-republikat sovjetike kanë zhvilluar dhe një luftë që zgjati nga 1988-1994.
Megjithëse Armenia e mbështet Republikën e vetëshpallur, ajo kurrë nuk e ka njohur zyrtarisht atë. (A2 Televizion)