
Bota ishte ndryshe para se të vinte pandemia Covid-19. Koronavirusi shkaktoi te njerëzit frikë jo vetëm për shëndetin, por edhe për vendet e punës, duke nisur nga furrat modeste e deri te kompanitë e mëdha.
Në këtë det pasigurie, u shfaq puna nga shtëpia. Por, me përfundimin e pandemisë, ky model i punës vazhdon ende. Dhe ndonjëherë gjeneron më shumë probleme sesa të mira.
Kështu, CEO i Amazon, Andy Jassy, ka dhënë një ultimatum për punonjësit e tij. Ose kthehen në zyrë ose largohen nga puna. Politika e punës e kompanisë Amazon detyron punonjësin të paraqitet në vendin e punës të paktën tri ditë në javë. Jassy këmbëngul se ndërsa punonjësit kanë të drejtë të mos pajtohen me vendimin e kompanisë, ata nuk kanë të drejtë të shpërfillin politikën e saj sepse rregullat janë rregulla. Dhe ata që nuk mund t’i pranojnë do të përballen me një “perspektivë të zymtë”.
Përballë këtij paralajmërimi, punonjësit kërkuan të dhënat e brendshme që justifikonin këtë politikë. Sipas informacionit të dhënë nga kompania për CNN, Jassy u përgjigj duke thënë se kjo normë ishte “më shumë rezultat i një vendimi të bazuar në një vlerësim të faktorëve të ndryshëm, përfshirë rezultatet e biznesit”.
Për këtë, ai shtoi se Amazon kishte pak të dhëna për të mbështetur një politikë të pacaktuar të punës në distancë, dhe se nëse në kohën e saj vendosi t’i jepte më shumë kohë dhe rëndësi këtij modeli, kjo ishte për shkak të rrethanave. Që në fillim, ishte theksuar se fokusi i punës do të ndryshonte bashkë me kushtet e pandemisë. Dhe koha për ndryshim ka ardhur këtë verë. (A2 Televizion)