
Gjykata e Tiranës refuzon ekstradimin e egjiptianit Mohamed Rageh, i kërkuar nga drejtësia egjiptiane për “vrasje me dashje”.
Gjatë gjykimit u provua se autoritetet egjiptiane nuk dhanë garanci që 50-vjeçari nuk do të dënohet me vdekje në rast ekstradimi. Në të njëjtin vendim gjyqtari Artan Gjermeni vendosi lirimin e menjëhershëm të Mohamed Rageh.
Rageh u arrestua në maj të këtij viti në aeroportin “Nënë Tereza” ndërsa po përpiqej të hynte në Shqipëri si turist. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol për vrasje me dashje, tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje,
Sipas informacioneve, Rageh në nëntorin e vitit 2019 ka vrarë me armë zjarri shtetasin egjiptian M. A., në Giza të Egjiptit, dhe më pas ka marrë automjetin e viktimës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. (A2 Televizion)