Mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, ku merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, është ndërprerë pas rreth 3 orësh, me kërkesë të kreut të qeverisë.
Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, është shprehur se PD-ja do t’i qëndrojë Marrëveshjes së 5 Qershorit.
“Kuptuam nga diskutimi i Kryetarit të Partisë Socialiste që qëllimi është të rihapim edhe njëherë diskutimin për përmbajtjen e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe të bëjnë ndryshime të saj. Drafti i marrëveshjes së 5 Qershorit është produkt i një pune të përbashkët 6 mujore, është miratuar dhe nënshkruar me konsensusin e të gjitha palëve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ne i qëndrojmë firmës sonë dhe deklarojmë që nuk mund të rishihet apo rishkruhet asnjë fjalë ndryshe nga ajo që palët kanë dakordësuar dhe nënshkruar bashkërisht. Çështjet që ju shtruat bien në kundërshtim dhe ndryshojnë Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe prishin dakordësinë që ne kemi arritur aty. Gjithashtu, në mbledhjet e Këshillit Politik, por edhe gjatë diskutimeve në Rezidencën e Ambasadores së SHBA-së, përfaqësuesi zyrtar i Partisë Socialiste nuk ka dhënë konsensusin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe ka dakordësuar se kjo çështje nuk mund të diskutohet tani, por në një fazë më të vonshme. Ky fakt konfirmohet edhe nga përmbajtja e marrëveshjes së 5 Qershorit”, tha Bardhi. (A2 Televizion)