
Dritan Laçi, përgjegjës i shërbimit të karrierës, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, tregoi në “A2 Business” se këshillimi i karrierës te nxënësit duhet nisur që herët, pasi ndihmon vetë studentët, por edhe universitetet.
“Është shumë i rëndësishëm këshillimi te nxënësit dhe kjo gjë duhet nisur herët. Identifikohen dhe ndahen bazuar në aftësitë që ata kanë. Në universitet ne e kemi më të lehtë, pasi i drejtohemi një grupi që është identifikuar më herët për aftësitë e tyre. Zyra e Bashkisë që është hapur, është një nismë shumë e mirë. Duhet vijuar këshillimi i karrierës edhe pas universitetit dhe element shumë i rëndësishëm është gjurmimi i tregut të punës”, deklaroi Laçi.
“Nga gjurmimi që i bëjmë të diplomuarve, na rezulton që studentët që janë investuar mjaftueshëm, janë pothuajse të gjithë të punësuar. Në fushën e bujqësisë, ata që janë specialistë e gjejnë veten në karrierë profesionale. Gjimnazistët e “Qemal Stafës” u habitën kur morën vesh që edhe inxhinierët e përpunimit të drurit e kanë pagën minimale mbi 100 000 lekë. Po flasim për pagesa relativisht të mira dhe specialisti e gjen veten. Ne si universitet na ndihmon shumë këshillimi i karrierës në fazat e hershme të jetës, pasi mund të shkojmë nëpër gjimnaze, të diskutojmë me gjimnazistët dhe t’i tregojmë rrugët maturantëve. Këshillimi i karrierës të orienton për një investim të duhur në të ardhmen”, shtoi Laçi. (A2 Televizion)