
Pak orë para finales se Conference League, Ministria e Shëndetësisë publikon planin e masave për situatën shëndetësorë në çdo rast nevoje mjekësore. Nga Qendra e Urgjencës Kombëtare, ministrja Ogerta Manastirliu tregoi se si do të funksionoje shërbimi I përforcuar i urgjencës përreth stadiumit dhe brenda tij.
“Masat janë marrë që përpos 9 autoambulancave që do të jenë në postacionet fikse, janë edhe 7 autoambulanca të tjera shtesë, të cilat janë në qarkullim. Pra emergjencat shëndetësore në Tiranë do të përballohen me kapacitete të shtuara, sepse gatishmëria do të jetë e shtuar. Nga ana tjetër, edhe ekipet mjekësore, të cilat do të vendosen në stadium, janë 8 ekipe që janë përgatitur me mjekë, infermierë që do të jenë brenda në stadium. Janë gjithashtu edhe autoambulancat jashtë stadiumit, të cilat kanë mundësi që të transportojnë, në rastet që mund të ketë ndonjë emergjencë shëndetësore”, deklaroi Manastirliu.
Krahas ekipeve të Urgjencës Kombëtare, tre spitalet universitare në Tiranë, qendra spitalore “Nënë Tereza”, spitali i Traumës dhe Sanatoriumi do të kenë pavijone të dedikuar për çdo urgjencë mjekësore në ditën e finales së Conference League.
“E rëndësishme është që spitalet janë bërë gati. Qoftë spitali i Traumës që tashmë ka vënë një pavijon me kapacitete të dedikuara, për të patur lehtësinë që të gjitha rastet që do të ketë, për të transportuar nga Urgjenca Kombëtare, të kenë edhe një pavijon të dedikuar. Po ashtu QSUT me pavijonin e toksikologjisë edhe me shërbime të tjera, të dedikuara për të ofruar shërbim, si dhe spitali “Shefqet Ndroqi”, ku dhe aty kemi pavijone të dedikuara. Por mbi të gjitha ekipet janë në gatishmëri dhe janë përforcuar, duke u dyfishuar”, shtoi ministrja.
Sipas planit të ministrisë së shëndetësisë tifozët që do të kërkojnë ndihmë mjekësore do të jënë të ndarë në spitale të ndryshme për të shmangur përplasjet brenda spitalit. Sanatoriumi është përcaktuar për urgjencat e tifozëve holandezë, ndërsa trauma do të jetë për mbështetësit e ekipit të Romës. Ndërkohë në gatishmëri do të jetë edhe pavijoni i toksikologjisë. Ekipe mjekësore dhe autoambulanca janë planifikuar edhe pranë zonave të ngritura në Tiranë nga ku do të ndiqet direkt finalja Roma- Fejenoord. (A2 Televizion)