
Sinjale kontradiktore vijnë nga fronti diplomatik, sa i përket mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje për fundin e luftës në Ukrainë.
Ankaraja, e cila është vënë në rolin e ndërmjetësuesit, tha të dielën se palët po dakordësohen mbi çështjet kritike dhe se një armëpushim mund të arrihej së shpejti nëse nuk do të ketë sprapsje në progresin e shënuar deri më tani.
Por në një deklaratë mëngjesin e së hënës, Moska tha se nuk ishte shënuar përparim i rëndësishëm në bisedime. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov akuzoi Kievin se kishte sjellë ngecje të negociatave për shkak të propozimeve të papranueshme për Rusinë.
Pyetjes së gazetarëve rusë mbi një takim të mundshëm mes Putin dhe Zelensky, Peskov iu përgjigj se Kievi duhet të bënte detyrat e shtëpisë para se të kishte një përballje të mundshme mes udhëheqësve.
“Që të flasim për një takim mes dy presidentëve, fillimisht duhen bërë detyrat e shtëpisë. Duhet të mbahen bisedime dhe të ketë rezultate. Deri më tani, nuk është shënuar progres i rëndësishëm. Kështu është herët të flasim për një takim mes dy presidentëve”, tha Peskov.
Zëdhënësi shtoi se Moska po tregon më shumë gatishmëri se negociatorët ukrainas, për arritjen e një marrëveshjeje. Ai u kërkoi shteteve që po ndërmjetësojnë në bisedime, të tilla se Izraeli dhe Turqia, të ndikojnë tek Ukraina që të jetë më bashkëpunuese. (A2 Televizion)