
Të gjesh një adresë në Shqipëri është e vështirë, shpeshherë e pamundur nëse nuk ka një pikë reference. Pavarësisht emrit të rrugës, apo numrit të hyrjes, adresat e bizneseve nuk konceptohen dot sot pa emërtesa si: pranë Liceut, te Selvia, te kafe Flora etj. Një problematike që tanimë kërkohet t’i jepet zgjidhje.
Ndërtesat, shtëpitë dhe bizneset pritet të kenë një kod unik identifikues. Përveç 8 elementëve përbërës të deritanishëm të adresave që janë emri i bashkisë, i njësisë administrative, emri i qytetit ose fshatit, i bulevardit ose rrugës, numri i ndërtesës dhe i hyrjes si dhe kodi postar, do të shtohet edhe një element i nëntë.
Sipas projektligjit të propozuar nga Ministria e Brendshme, Kodi Unik synon lehtësimin e memorizimit të adresës për shqiptarët dhe krijimin e mundësisë për aksesimin e herëpashershëm të dokumentit unik shtetëror, pra Regjistrit Kombëtar të Adresave. Adresat e sakta kanë rol veçanërisht të rëndësishëm për shërbimin zjarrfikës, të ambulancës, shërbimin postar, transportin me taksi etj.
Gjithashtu, Kodi Unik zëvendëson 8 elementët e adresës në rast të shkëmbimit të informacionit midis databazave kombëtare. Se si do krijohet dhe çfarë do të përmbajë ky Kod Unik është ende e paqartë, pasi vetë propozimi është në fazën e konsultimit publik. Por, pritet që brenda pak muajve të shkojë në Kuvend në një formë përfundimtare, me shpresë që problemi i adresave të gjejë më në fund zgjidhje. (A2 Televizion)