
Kush nuk e do librin nuk e di çfarë është libri. Kush e do librin nuk ka para për ta blerë atë. Kështu u shpreh gjuhëtari Mehmet Elezi në Intervistën me Merita Haklajn, në A2 CNN, bazuar edhe në sondazhin e ditëve të fundit, ku rezulton se 80% e shqiptarëve nuk ka lexuar asnjë libër. Ai rendit një sërë arsyesh që e kanë larguar shqiptarin nga libri, por thekson edhe varësinë që ka brezi i ri ndaj celularit.
“Nuk është faji i shqiptarëve, por janë disa rrethana konkrete, është gjendja ekonomike në radhë të parë. Në panair çmimet e librave janë të rritura, edhe njerëzit seriozë nuk mund t’i blejnë, shto stresin, rinia po largohet. Ka një numër arsyesh që kanë larguar shqiptarin nga libri. Brezi i ri është në një lloj varësie nga celulari. Libri nuk e zëvendëson kurrë internetin”.
Modestisht ai flet edhe për dy prurjet e reja të tij në edicionin e 25-të të panairit të librit, “Studio përballë zanave” dhe “Kalendari i Noes”. Ky i fundit sipas tij dëshmon diktaturën me sytë e një fëmije.
Ndërsa shumicën e përkthimeve të tanishme i quan punë me normë, ndërsa pak vlerëson për cilësinë dhe gjuhën.
“Gjysma e vlerës së një vepre artistike përcaktohet nga gjuha. Këto kohë ka shpërqëndrim e keqpërdorim të gjuhës. Po të shohësh përkthimet, bëhen nga njerëz jo profesionistë. E para nuk janë njerëzit e duhur. Bëhet punë me normë. Të vjen keq për romane serioze sa habitesh si guxojnë, gati në Google Translation. Fjalori është shumë i varfër. Krijimet e Kadaresë, Zija Çelës kanë gjuhë të pasur. Kel Demi ka gjuhë interesante, përdor forma të paskajores”. (A2 Televizion)