
Qeveria miratoi zgjatjen afatit të paketës së ndihmës për transportin publik deri në tetor të këtij viti. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku njoftoi se ky vendim për kompensimin e karburantit vjen në kuadër të masave anti-krizë të ndërmarra nga ekzekutivi.
“Paketa e vënë në dispozicion që nga prilli është konsumuar dhe është tërhequr nga kompanitë, rreth 60% e fondit të vënë në dispozicion. Me aktin e sotëm është marrë vendimi që kjo paketë kompensimi të zgjatet edhe për muajt gusht-shtator dhe tetor. Ky është një kompensim i rëndësishëm në kuadër të masave anti-krizë, duke pasur parasysh se transporti rrugor mban një peshë shumë të madhe”.
Balluku i cilësoi si te pabaza akuzat e opozitës për abuzime me çmimin e karburantit duke shpjeguar edhe mënyrën që sipas saj përcaktohet një gjë e tillë.
“Flitet që çmimi i naftës ka rënë në bursa, ndërkohë që në Shqipëri ngrihet. Fakt i rremë. Çmimi që i referohen të tjerët ka të bëjë me çmimin e naftën bruto, në Bord ne i referohemi çmimit të produktit, me çmimin e diesel, me të gazit apo me çmimin e benzinës, dhe i referohemi bursës Plats”.
Një shpjegim e kishte edhe për diferencën që ekziston mes çmimit në Shqipëri dhe atij të vendeve të rajonit Balluku nënvizoi se bordi nuk rrit dhe nuk ul çmimin, por ka si detyrë ta mbajë nën kontroll dhe të bëjë transparencë. (A2 Televizion)