
Kuvendi nisi shqyrtimin e aktit normativ të qeverisë që kompenson kompanitë që po kryejnë punë publike dhe janë prekur nga rritja e çmimeve të lëndëve të para në ndërtim.
Përfaqësuesit e ministrisë së Financave dhe asaj të Infrastrukturës shpjeguan se për kontratat publike të lidhura nga 1 Janar 2020, do të nënshkruhen kontrata shtesë me masën e kompensimit.
Shumë do të variojë nga 5%-30%, në varësi të peshës që secili material i shtrenjtuar zë në vëllimin e punimeve.
Deputetët paraqitën shqetësimin se nuk duhet të përfitojnë nga ky akt normativ kompanitë që kanë pasur vonesa në punime, që nuk lidhen me shtrenjtimin e materialeve. Por vlerësuan se kompensimi është i drejtë.
Deputetët e komisionit parlamentar të ekonomisë kërkuan për vazhdimin e diskutimit në seancën e radhës një listë me projektet që do të përfitojnë nga akti normativ, për të llogaritur edhe efektin financiar të nismës. (A2 Televizion)