Koncert i vetëm në Duomo, Andrea Bocelli përgatit eventin që "përqafon" Milanon

Nga A2 CNN
8 Prill 2020, 22:33 | Showbiz

Do të jetë diçka që nuk harrohet shpejt, koncerti i kësaj të diele i tenorit të njohur Andrea Bocelli.  

I vetëm në Duomon madhështor të Milanos, i shoqëruar vetëm nga organo e mjeshtrit Emanuele Vianelli, 61-vjeçari italian do të performojë live disa nga ariet më të njohura të të gjitha kohërave, si “Ave Maria” e Shubert, “Sancta Maria”, si dhe këngë të tjera që padyshim do të kumbojnë në mënyrë të paprecedent dhe domethënëse në kishën e boshatisur nga masat shtrënguese ndaj pandemisë të koronavirusit.  

Koncerti i Bocellit do të mund të ndiqet falas në kanalin e tij në Youtube, dhe dëshmon afërsinë e këngëtarit lirik që ka shitur më shumë se 90 milionë disqe në karrierë me vendin e tij, të goditur rëndë nga koronavirusi.

Andrea Bocelli

Kryebashkiaku i Milanos Giuseppe Sala ka përshëndetur gjestin e Bocellit, duke thënë se “këto Pashkë do të jenë ndryshe nga çdo vit, dhe lumturia e dikurshme është zëvendësuar nga mërzia për pandeminë që po përjetojmë. Por jam i sigurt që zëri i jashtëzakonshëm i Bocellit do të jetë përqafimi që na ka munguar në këto ditë, një përqafim që mund të ngrohë Milanon, Italinë dhe botën”.

Tenori bashkërisht me koncertin do të dhurojë edhe 140 mijë dollarë për spitalet në vendlindje, si dhe do të marrë pjesë në koncertin “One World: Together at Home” që do të zhvillohet në 18 prill, me këngëtarë si Elton John dhe Lady Gaga.   (A2 Televizion)

Duomo i Milanos

A2 CNN Livestream

Latest Videos