Interpelancë e mocion për inceneratorët, PS refuzon kërkesat e opozitës, Bardhi: Rama po financon arratinë e Ahmetajt

Nga A2 CNN
18 Korrik 2023, 11:36 | Politikë
Interpelancë e mocion për inceneratorët, PS refuzon kërkesat

Konferenca e Kryetarëve rrëzoi dy kërkesat e opozitës për të zhvilluar të enjten një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, si dhe një mocion me debat, për çështjen e inceneratorëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi akuzoi maxhorancën se po e kthen Kuvendin në një dyqan të pronarëve të inceneratorëve, të cilët – theksoi ai - vijojnë të marrin mara nga buxheti i shtetit ndonëse janë në kërkim nga drejtësia.

"Fakti që dy mafiozë në arrati të inceneratorëve marrin pagesa çdo ditë për punë ta pakryera, nuk është një çështje urgjente për ta. E kuptoj vështirësinë që ka Rama si person i përfshirë, koka e inceneratorëve për të dhënë shpjegime, por sado siklet dhe hall të ketë do duhet të respektohet Kushtetua. Argumenti i tyre është se nuk ka urgjencë. Po financojnë arratinë e Zotos, Mërtirit dhe tani të Ahmetajt."

Argumenti i shumicës ishte se çështja e inceneratorëve nuk paraqet asnjë urgjencë që të ndryshojë rendin e ditës të seancës së fundit plenare për këtë sesion parlamentar dhe se tashmë kjo çështje i përket drejtësisë.

"Qëndrimi ynë në seancës është ky qëndrim që thash tani. Ne mendojmë se ato nuk janë çështje urgjente dhe të futen në rendin e ditës për shkak se nuk kanë përmbajtje. Janë shteruar instrumetet e kontrollit parlamentar për këtë çështje. Për këtë arsye të bësh debat dhe të flasësh kur drejtësia ka marr çështjen në dorë kam përshtypjen që kërkon ti prishës punë asaj," deklaroi para mediave deputeti socialist Toni Gogu.

Pavarësisht kësaj vendimmarrje të Konfernecës së Kryetarëve, dy kërkesat e opozitës do të duhet të shqyrtohen nga seanca plenare e të enjtes ku edhe aty votat e PS-së do të rrëzojnë kërkesat e dy grupimeve të PD-së, por debati duket gjithsesi i garantuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos