
Në përfundim të takimit informal me liderët e rajonit në Tiranë, me përjashtim të Albin Kurtit, kryeministri Edi Rama tha se po punohet për hartimin e një plani të ri ekonomik dhe financiar në mbështetje të Ballkanit Perëndimor. Teksa vuri theksin se për shkak të krizës ekonomike, luftës, pandemisë, hendeku mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është thelluar, Rama tha se ky plan do të ndihmojë që të hapen shtigje të reja bashkëpunimi.
“Ne jemi përpjekur që të krijojmë një tjetër qasje, që paralelisht me negociatat të kemi dhe një mbështetje ekstra financiare. Kjo ka nisur të formësohet dhe një plan i ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike po përgatitet, se si nga njëra anë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten financiarisht dhe të hapen disa shtigje të integrimin në tregun e BE pa pritur që të anëtarësohen në BE”.
Kryeministri Edi Rama
Megjithatë, kreu i qeverisë nuk dha detaje se sa do të jetë kjo mbështetje fincanciare apo se në cilat fusha Shqipëria do të kërkojë ndihmë.
"Nuk mund të flasim akoma për gjëra konkrete sepse ky plan është në diskutim. Nuk e di a e keni ndjekur Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen, e cila në Bratislavë dha një sinjal të qartë për objektivat e këtij plani. Ndërkohë që jemi shumë herët për të diskutuar se sa dhe pse një vend ose një vend tjetër do të marrë. Ajo që është e rëndësishme në këtë moment është që ta shikojmë rajonin si një i tërë dhe të punojmë për rajonin si një i tërë sepse kështu na sheh Bashkimi Europian, pavarësisht se brenda për brenda rajonit ka vende që janë më përpara me procesin e integrimit dhe ka vende që janë më mbrapa.
Përsa i përket fushave edhe kjo është diçka që u diskutua edhe sot dhe mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishmja është sesi ky plan do të integrohet me çfarë ne kemi si mekanizma ekzistues mbështetjeje nga Bashkimi Europian" (A2 Televizion)
Kryeministri Edi Rama